Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për të shpallur fshatin Vuno si pasuri kulturore e paluajtshme dhe Qendër historike, duke përcaktuar gjithashtu zonën e saj të mbrojtur.
Sipas këtij vendimi, zona e Qendrës historike të fshatit Vuno do të përcaktohet në bazë të hartave të zonifikimit dhe koordinatave të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), të cilat do t’i bashkëlidhen vendimit.
Përveç shpalljes së qendrës historike, Qeveria ka miratuar gjithashtu një plan për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj, si dhe të zonës mbrojtëse përreth.
Me këtë vendim, shfuqizohet vendimi nr. 30, datë 20 janar 2016, i Këshillit të Ministrave, i cili kishte shpallur më parë Qendrën Historike të fshatit Vuno dhe kishte miratuar rregulloren për administrimin e saj dhe të zonës mbrojtëse.
Vendimi i ri ngarkon Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor me detyrën për të publikuar hartat e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të realizojë regjistrimin e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Himarë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





