Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetje nga Danimarka për përmirësimin e statusit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë një takimi lamtumirës me ambasadorin jo rezident danez, Christian Grønbech-Jensen.
Kurti ka theksuar se me ambasadorin danez ka diskutuar për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe forcimin e mëtejmë të tyre. “Duke shprehur mirënjohje ndaj Danimarkës, kërkova mbështetje për të avancuar statusin e aplikimit të Kosovës në shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu ka nënvizuar se Kosova është e përkushtuar në objektivin strategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s. “Republika jonë, përveçse e përcaktuar qartë dhe e palëkundur, është e përkushtuar në synimin strategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s”, ka shkruar ai.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin Grønbech-Jensen për shërbimin dhe kontributin e tij, duke pranuar gjithashtu urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Ai e ka uruar ambasadorin edhe për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Grenlandën, e cila forcon mbrojtjen dhe sigurinë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut. “Krahas drejtësisë, energjisë, arsimit e teknologjisë, biseduam për mënyrat dhe mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe për rritjen e investimeve daneze në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





