Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Shqipëri, Vlora Hyseni, do të paraqitet para gjykatës të enjten si e dyshuar për veprat e zbulimit të të dhënave sekrete dhe “përkrahjen e autorit të krimit”.
Këto akuza, sipas ekspertëve të sigurisë, ngrejnë shqetësime për sigurinë institucionale dhe kombëtare të vendit.
Hyseni u shkarkua të martën nga pozita e saj si shefe e shërbimit sekret, dhe gjykata urdhëroi vendosjen e saj në arrest shtëpiak, nën dyshimin se ka nxjerrë të dhëna të klasifikuara, në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion.
Opozita e lidh këtë çështje me marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se nëse konfirmohet komprometimi i informacionit të një aleati, mund të rishikohet shkalla e besimit dhe mekanizmat e shkëmbimit të informacionit.
NATO-ja nuk ka komentuar për rastin kur është pyetur.
Detajet për të dhënat që dyshohet se janë zbuluar nuk janë bërë publike, por burime sugjerojnë se ato i janë dorëzuar Ergys Agasit, një biznesmen i përfshirë në hetimin për korrupsion në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ky hetim përfshin dyshime për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik.
Zyra e Posaçme e Prokurorisë, e njohur si SPAK, e ka hetuar prej kohësh këtë rast, duke arrestuar shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë për keqpërdorim të parave publike në AKSHI. “Legjitimiteti i SHISH-it si partner i besueshëm, u cenua rëndë”, thonë ekspertët e sigurisë, duke e cilësuar këtë ngjarje si potencialisht serioze për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e rendit publik.
Gerti Metani, ekspert për çështje të sigurisë, shprehet se rreziku është më i lartë për shkak të pozitës së drejtuesit të shërbimit inteligjent, duke pasur parasysh qasjen e saj në informacione dhe marrëdhëniet e ndjeshme me shërbimet partnere. “Një incident i tillë duhet të trajtohet jo vetëm si çështje individuale penale, por edhe si incident i sigurisë institucionale”, thekson Metani.
Ai shpjegon se informacionet e klasifikuara kanë kufizime të qarta dhe përdoren për qëllime specifike, dhe se informacioni nuk duhet të transmetohet pa autorizim.
Nëse konfirmohet se informacioni i një aleati është komprometuar, pasoja kryesore do të jetë një rivlerësim i nivelit të besimit dhe i mekanizmave të shkëmbimit të informacionit. “Vetë NATO e trajton komprometimin e informacionit të klasifikuar si çështje që kërkon raportim dhe hetim”, thotë ai, duke theksuar se legjitimiteti i SHISH-it si partner i besueshëm është rëndë cenuar.
Kryeministri Edi Rama, nga Nju Jorku, ku ndodhej për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shprehu pritjen që çdo dyshim i ngritur nga SPAK-u të “hetohet dhe zbardhet deri në fund” dhe theksoi se “askush nuk është mbi ligjin”.
Opozita ka akuzuar kryeministrin Rama për përgjegjësi politike lidhur me masat e sigurisë ndaj Hysenit, duke e quajtur çështjen si një ngjarje me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare.
Klevis Balliu, nënkryetar i komisionit parlamentar për Çështjet e Brendshme, thotë se “rasti i Vlora Hysenit faktoi rënien e sigurisë kombëtare dhe se sot jetojmë në narkoshtet”.
Ai kërkon që Rama të përballet me drejtësinë ose të dorëhiqet.
Debati politik ka shpërthyer në komisionet parlamentare, ku opozita thotë se siguria kombëtare është cenuar, ndërsa shumica e deputetëve e shohin vendimin e SPAK-ut si një dëshmi të funksionimit të drejtësisë.
Partia Demokratike, si partia më e madhe në opozitë, ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm lidhur me këtë çështje.
Nga AKI te SHISH, debati që e shoqëroi Vlora Hysenin është i gjallë, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj në krye të SHISH-it pas një historie të tillë.
Hyseni, e cila është nga Kosova, ishte drejtuese e SHISH-it që nga viti 2023 dhe më parë kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e AKI-së.
Analisti politik Mentor Kikia thekson se largimi i saj nga një post i lartë në AKI duhej të ishte marrë më seriozisht gjatë emërimit të saj në SHISH.
Ai e sheh këtë si një papërgjegjshmëri të autoriteteve shqiptare.
Eksperti Metani thekson se është e nevojshme të sqarohet se çfarë verifikimesh u kryen para emërimit të Hysenit.
Sipas tij, hetimi penal duhet të përcaktojë nëse dhe si janë shkelur ligjet, ndërsa në planin institucional duhet të sqarohet se si informacioni sekret doli nga struktura e inteligjencës dhe për çfarë u përdor. “Me kaq sa jemi të informuar, mund të themi se shteti ka dëshmuar nivelin më të lartë të inkriminimit që kemi parë deri tani.
Këtu është rrëzuar besimi i publikut te shteti dhe gjithashtu ai i partnerëve ndërkombëtarë”, thotë Kikia.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





