Emri i Endrit Thaçit, djalit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë një vëmendje të madhe në Google dhe YouTube në ditën e shpalljes së aktgjykimit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Këtë e ka bërë të ditur ekspertja e IT-së, Nadia Elbasani, e cila ndau raportin e saj në emisionin “Ftesë në 5”.
Elbasani theksoi se ajo çfarë e ka befasuar më shumë nga monitorimi i saj është se emri i Endrit Thaçit ishte më i klikuar se ai i PDK-së në Google. “Ditën e vendimit të Hagës është klikuar në mënyrë masive emri i Endrit Thaçit dhe i djalit të Kadri Veselit.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje është krahasimi mes PDK-së dhe Endrit Thaçit.
Endriti, në Google, është më i klikuar se vetë PDK-ja.
Kjo të çon në një kërkesë që duket sikur vetë populli i Kosovës ka, që këta djem të rimarrin historinë e Kosovës,” ka thënë Elbasani.
Përveç kësaj, ajo theksoi se UÇK-ja gjithashtu ka pasur një interes të madh në kërkimet në Google dhe YouTube, sidomos në ditën e vendimit të Hagës, ku shumë njerëz janë përpjekur të marrin çdo detaj rreth situatës. “Brezi i ri kërkon më shumë nga këta djem.
Fakti që ka fokus në aspektin fizik, nuk e largon nga personazhi,” shtoi ajo.
Në anën tjetër, djemtë e dy ish-krerëve, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli, kanë arritur të bëhen viral në rrjetet sociale dhe kanë tërhequr një vëmendje të madhe nga publiku.
Dyshja po ashtu ka shkaktuar një interes të jashtëzakonshëm për shkak të prezencës së tyre në protestat që po mbahen tash e një javë në sheshin e Prishtinës.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





