Paskal Milo: Roli i Ambasadorit Amerikan Christopher Hill në Procesin e Rambujesë

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka ndarë përvojat e tij lidhur me komunikimet dhe marrëdhëniet që kishte me ish-ambasadorin amerikan Christopher Hill gjatë luftës në Kosovë, si dhe për rolin e tij të rëndësishëm në procesin e Rambujesë.

Në një intervistë për Euronews Albania, Milo ka theksuar se kishte kontakte të shpeshta me Hillin, përfshirë telefonata dhe diskutime të vazhdueshme për qëndrimin e Qeverisë shqiptare.

Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi me Hillin dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ishte kyç në përpjekjet për ta bindur delegacionin e Kosovës që të nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë. “Kam pasur shumë kontakte me ambasadorin Hill, shumë telefonata dhe shumë diskutime.


- Advertisement -

Unë isha ministër i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë dhe isha edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Rambuje.

Ambasadori Hill, që foli këtu, ndoshta më merrte një herë në dy ditë në telefon, kudo që të isha, që të dëgjonte se çfarë mendonte Qeveria shqiptare,” tha Milo.

Ai tregoi se në një moment ishte thirrur me urgjencë për të udhëtuar drejt Rambujesë, me kërkesë të Hillit dhe Albrightit. “Më kanë marrë edhe me urgjencë dhe, me këmbënguljen e tij dhe të zonjës Albright, unë shkova në Rambuje për të ndihmuar delegacionin amerikan që t’ia mbushte mendjen delegacionit të shqiptarëve të Kosovës dhe, në mënyrë të veçantë, zotit Thaçi, për ta nënshkruar marrëveshjen,” deklaroi ai.

Milo, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Hillin gjatë atyre kohëve, shprehu pritshmërinë që ish-diplomati amerikan të fliste më hapur për ngjarjet e asaj periudhe. “Prandaj, zoti Hill, nuk e di nëse na pa apo nuk na pa që ishim këtu.

Të paktën duhet ta kishte kujtuar, si diplomat, një bashkëpunim shumë të dobishëm që ne kemi pasur në atë kohë dhe kaq shumë bisedime, kontakte dhe diskutime me të,” tha Milo.

Ai shtoi se, duke kujtuar ato biseda dhe diskutime, do të priste që tani, pas largimit të tij nga shërbimi aktiv diplomatik, të ishte më i hapur.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *