Për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk ka reaguar ende ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla.
Për këtë u diskutua sot me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jasharin.
Jashari tha se Gërvalla pati deklaruar publikisht që do të deponojë dosje në Gjykatës Speciale ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare. “E si, si t’i besojmë ne, përfaqësuesit e kategorive të lirisë, përderisa deri më tani, me sa jam i informuar, nuk ka asnjë reagim?
Ministrja e Drejtësisë… e institucionit të Republikës së Kosovës, e Qeverisë së Republikës së Kosovës, atëherë çfarë duhet me thënë?
I dimë edhe qëndrimet e saj edhe si përfaqësuese e diplomacisë, si diplomate, si ministre e Punëve të Jashtme.
Prandaj është momenti i fundit që të korrigjohen dhe ta kuptojnë që mbi gjithçka është interesi nacional, është liria e këtij vendi.
Dhe mendoj se duhet të korrigjohen, patjetër duhet të korrigjohen të gjithë ata që kanë bërë gabime dhe duhet ta kuptojnë mirë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e secilit, sepse në saje të saj lirinë sot po e gëzojmë të gjithë”, tha ai. “Dhe nuk kemi askush të drejtë të themi se unë kam hise, pavarësisht që kam numër të madh dëshmorë të rënë në të gjitha periudhat, po edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë asnjëherë nuk pretendoj e nuk them se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë më e madhe për mua se cilido qytetar që sot e gëzojnë lirinë.
Duhet ta kuptojnë, duhet ta kuptojnë që institucionet janë kriju pas kësaj lufte dhe këto institucione në radhë të parë kanë obligim, përveç që t’i respektojnë, përveç që t’i kujtojnë kur kanë akademi, kur kanë përkujtime, nuk mjafton vetëm kjo t’i kujtojmë, por t’i nderojmë, t’i respektojmë, po edhe t’ju japim vendin meritor.
Sepse vetëm kështu e dëshmojmë para opinionit, vetëm kështu e dëshmojmë para botës se ne kemi sakrifiku shumë për lirinë”, shtoi ai. “Prandaj, në asnjë rast, në asnjë moment ju bëj thirrje që mos të jenë pjesë e së keqes.
Le të bëjnë politikë, le të kundërshtojnë me fakte njëri-tjetrin, por ama unë ju bëj thirrje politikës në Kosovë, institucioneve të Republikës së Kosovës, partive politike, që kur është interesi nacional dhe kombëtar të jenë bashkë.
Sepse vetëm kështu e mbrojmë të drejtën tonë, vetëm kështu ecim përpara dhe barazohemi me shtetet në Evropë e në botë, edhe arrijmë atje ku kemi synu me shekuj, pra që një ditë të jemi bashkë si një popull dhe si një komb”, theksoi Jashari.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





