Shqipëria do të rrisë forcat dhe mjetet e saj ushtarake në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili njoftoi se misioni shqiptar në kuadër të KFOR-it do të zgjerohet me kapacitete ajrore.
Sipas Vengut, mbështetja ajrore do të përdoret për detyra të patrullimit, zbulimit, kërkim-shpëtimit, evakuimit mjekësor dhe transportit, si dhe për mbështetjen e popullsisë në rast emergjencash civile.
Në kuadër të këtij zgjerimi, një helikopter dhe 17 pjesëtarë të personelit shtesë shqiptar do të dislokohen në Camp Bondsteel, në Ferizaj.
Vengu e ka cilësuar këtë si një mundësi për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. ‘Një tjetër hapësirë për të thelluar ndërveprimin e ngushtë me Kosovën’, shkroi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




