Lot dhe pikëllim kanë mbizotëruar në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Trupi Gjykues i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për veprat penale të përcaktuara në aktgjykim, duke i dënuar me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Koha e kaluar në paraburgim do t’u llogaritet në vuajtjen e dënimit, sipas vendimit të gjykatës.
Vendimi është përcjellë drejtpërdrejt edhe në Prishtinë, ku qindra qytetarë ishin mbledhur në sheshin ‘Skënderbeu’ para ekranit gjigant të vendosur për transmetimin e seancës nga Haga.
Pas kumtimit të dënimeve, në shesh janë parë qytetarë të përlotur dhe të pikëlluar, ndërsa atmosfera është rënduar dukshëm.
Fotografitë e realizuara nga Laura Hasani, fotoreportere e ‘Zëri’, në sheshin ‘Skënderbeu’ pasqyrojnë reagimet e qytetarëve pas shpalljes së aktgjykimit.
Rasti ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhet me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për ngjarje të periudhës nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023, ndërsa procedurat e provave ishin mbyllur në dhjetor të vitit 2025.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





