Ka mbetur vetëm një ditë para se Gjykata Speciale në Hagë ta shpallë aktgjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Seanca në Hagë fillon në orën 10:00, mirëpo në Kosovë transmetimi nga deklarimi në sallën e gjyqit bëhet me 10 minuta vonesë.
Seanca, sipas njoftimit të Speciales, pritet të zgjasë rreth dy orë.
Përfaqësuesi i platformës qytetare “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli nga Haga ka shprehur bindjen se vendimi për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë pozitiv.
Tasholli tha se nuk sheh arsye tjetër përveç mbrojtjes për një vendim të tillë, duke theksuar se, sipas tij, asnjë çlirimtar nuk mund të barazohet me Ratko Mlladiçin. “Asnjë çlirimtar nuk mund të barazohet me Ratko Mlladiçin dhe kjo është arsye e fortë që do të kemi lajm të gëzueshëm”, tha Tasholli.
Ai deklaroi për RTK, se qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që jetojnë do ta presin me gëzim lirimin e tyre dhe kthimin në Kosovë.
Tutje Tasholli tha se qytetaria është pjesë thelbësore e demokracisë dhe se organizatorët e kanë marrë seriozisht përgjegjësinë për të denoncuar, siç u shpreh ai, anomalitë e procesit gjyqësor.
Në mesin e pjesëmarrësve ka edhe qytetarë nga diaspora.
Një qytetar nga Shtetet e Bashkuara tha se kishte udhëtuar drejt Hagës për herë të dytë dhe shpreson që kjo të jetë hera e fundit. “Shumë emocione.
S’është hera e parë.
Kjo është e dyta herë që vij.
Inshallah nuk ka nevojë më me ardhur.
Të dalin e të shkojmë e të festojmë së bashku në Kosovë”, tha ai.
Sipas Tashollit, grumbullimi në Hagë do të vazhdojë deri në mesnatë, ndërsa qytetarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Skandinavia janë ende duke udhëtuar drejt Hagës.
Ai bëri me dije se nesër do të vazhdojë grumbullimi, ndërsa seanca do të përcillet drejtpërdrejt përmes një monitori nga qytetarët e mbledhur atje, me shpresën për t’u kthyer në Kosovë për të festuar.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





