Flora Brovina ishte një nga figurat më të njohura të jetës publike, humanitare, politike dhe kulturore të Kosovës.
Mjeke pediatre, poete, aktiviste për të drejtat e njeriut, ish-e burgosur politike, veterane e UÇK-së, deputete në gjashtë legjislatura dhe nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ajo për më shumë se pesë dekada e ndërthuri profesionin me angazhimin shoqëror dhe politik.
Brovina lindi më 30 shtator 1949 në Skenderaj.
Ajo përfundoi Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri, ndërsa një pjesë të specializimit e kreu në Zagreb.
Për vite me radhë punoi si mjeke pediatre, përfshirë edhe në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Krahas mjekësisë, ajo punoi për rreth nëntë vjet edhe si gazetare e shëndetësisë në gazetën “Rilindja”, duke e lidhur profesionin e saj me informimin dhe angazhimin publik.
Në vitin 1992, në kohën kur Kosova përballej me represion të rëndë politik dhe institucional, Brovina themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare.
Organizata u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të grave, ndihmën humanitare, edukimin shëndetësor dhe fuqizimin e grave.
Brovina ishte gjithashtu ndër organizatoret e protestave paqësore të grave kundër dhunës dhe represionit, duke ngritur zërin për të drejtat njerëzore dhe kombëtare.
Gjatë viteve të luftës në Kosovë, Brovina vazhdoi aktivitetin e saj humanitar dhe mjekësor në Prishtinë.
Ajo nuk u largua nga Kosova, por vazhdoi të kujdesej për gratë, fëmijët dhe familjet e prekura nga lufta.
Autoritetet serbe e akuzuan për ndihmë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë sigurimin e ushqimit, veshmbathjeve dhe furnizimeve mjekësore.
Më 20 prill 1999, gjatë luftës, Flora Brovina u arrestua në Prishtinë nga forcat serbe.
Më 9 dhjetor 1999, një gjykatë në Nish e dënoi me 12 vjet burgim.
Pas rreth 19 muajsh në burg, Flora Brovina u lirua më 1 nëntor 2000.
Edhe gjatë kohës së burgosjes, veprimtaria e Brovinës mori vëmendje ndërkombëtare.
Brovina shërbeu edhe si kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Një përmbledhje e poezive të saj u botua edhe në gjuhën angleze me titullin “Call Me by My Name: Poetry from Kosova”.
Pas luftës, Flora Brovina vazhdoi angazhimin e saj në institucionet e Kosovës si deputete në gjashtë legjislatura radhazi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





