Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare politikania dhe aktivistja e njohur italiane, Emma Bonino, një prej zërave të fuqishëm në mbështetje të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 dhe në vitet pas përfundimit të saj.
Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur të premten partia ‘Më shumë Evropë’, e cila e ka cilësuar Boninon si një prej figurave më të guximshme dhe largpamëse të politikës italiane.
Bonino ishte një përkrahëse e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Në atë kohë, ajo kishte vizituar refugjatët kosovarë në vendet përreth Kosovës, ndërsa më 9 maj 1999 kishte qëndruar në Shkup në cilësinë e komisioneres së Bashkimit Evropian për ndihmat humanitare.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Bonino kishte ngritur alarmin për gjendjen e refugjatëve dhe për përmasat e krizës humanitare në Kosovë.
Ajo kishte kritikuar gjithashtu autoritetet jugosllave për pengimin e hyrjes së kosovarëve në Maqedoni, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të refugjatëve.
Mbështetja e Boninos për Kosovën kishte vazhduar edhe pas luftës.
Në vitin 2013 ajo kishte vizituar Kosovën, ku gjatë një konference për media ishte zotuar për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Emma Bonino do të mbahet mend edhe për angazhimin e saj të gjatë në çështjet e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Ajo ishte një prej figurave kryesore të politikës radikale italiane dhe kishte udhëhequr fushata për legalizimin e abortit dhe divorcit, përballë kundërshtimit të Vatikanit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





