Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme janë raportuar 21 vatra zjarri, prej të cilave 11 vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë janë nën monitorim dhe pesë janë shuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar mbi 1,100 forca, përfshirë 587 forca operacionale vendore dhe 550 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në terren janë vendosur 59 automjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja nga ajri po mbështetet nga katër helikopterë dhe një avion Air Tractor.
Vatra aktive raportohen në disa zona, përfshirë Fierin, Shkodrën, Matin, Tiranën, Bulqizën, Elbasanin, Lezhën dhe zona të tjera.
Në Himarë, zjarri në lagjen ‘1 Maji’ është shuar pas një operacioni të gjerë.
Nga flakët janë djegur gjashtë banesa, tre prej tyre të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e Shqipërisë, në koordinim me pushtetin vendor dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Ministria thotë se kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





