Një anije që po ngarkohej me skrap është përfshirë nga flakët pasditen e sotme në Portin e Shëngjinit, duke aktivizuar menjëherë të gjitha strukturat e emergjencës dhe sigurisë në zonë.
Sipas verifikimeve të para në terren, dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një incidenti gjatë procesit të ngarkimit të mbetjeve metalike. “Dyshohet se flakët nisën nga një bombul e vogël gazi, që mund të ketë pasur sasi të vogël gazi dhe si pasojë e shkëndijave të metaleve mori flakë,” raportoi gazetari i RTSH-24.
Situata është vënë nën kontroll brenda një kohe shumë të shkurtër falë koordinimit të menjëhershëm të forcave zjarrfikëse të portit dhe punonjësve të sigurisë portuale.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërkohë grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të rënies së zjarrit.
Drejtori i Portit të Shëngjinit, Andi Marku, ka konfirmuar se nuk ka asnjë problem dhe se aktivitetet tregtare e operacionale në port vijojnë normalisht.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





