Juristi, Emrush Thaçi, ka shprehur dyshime lidhur me marrëveshjen politike të fundit mes LVV dhe LDK-së për president, duke vlerësuar se ajo mund të jetë bërë më shumë për efekt publik sesa si një dakordim i qëndrueshëm politik.
Thaçi ka kritikuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për qasjen e tij politike, duke pretenduar se LDK-ja po përballet me probleme të mëdha të brendshme dhe se partia mund të shkojë drejt dobësimit të mëtejshëm. “Unë dyshoj te kjo marrëveshje, kjo ka qenë vetëm për sy e faqe në opinion.
Unë mendoj që Abdixhiku, për fatin e keq të LDK-së, LDK është duke shkuar drejt shkatërrimit si parti”, ka deklaruar Thaçi në Tëvë1.
Ai ka hedhur dyshime edhe tek 12 deputetët e LDK-së për mbështetje ndaj kandidatit për president, Bekim Sejdiu, në një votim të ardhshëm në Kuvend.
Sipas Thaçit, gjatë procesit mund të ketë deputetë të LDK-së që të mos e mbështesin kandidaturën, duke bërë që Abdixhiku të përballet me më pak se 7-8 deputetë në momentin e votimit. “Unë nuk besoj që 12 kanë me votuar përsëri kandidatin për president Bekim Sejdiu.
Përsëri gjatë rrugës ka me u shmang dikush nga LDK-ja, një, dy ose më shumë, dhe Abdixhiku mund të përfundojë në seancën për zgjedhjen e presidentit me më pak se 7-8 deputetë”, tha ai.
Thaçi ka ngritur gjithashtu pretendimin se Abdixhiku mund të ketë synuar që procesi i zgjedhjes së presidentit të zhvillohet sa më shpejt, në mënyrë që të largohet nga presioni politik brenda partisë. “Abdixhiku tendencën e ka pasur që të futet rastësisht, mos po zgjidhet presidenca dhe të shpëtojë nga të qenurit kryetar i partisë së LDK-së”, u shpreh ai.
Thaçi ka bërë edhe një pretendim tjetër, duke thënë se LDK-ja mund të thërrasë së shpejti një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor. “Kam informacione që LDK shumë shpejt do ta thërret edhe një Kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor dhe, nëse thirret, jeni shumë të bindur se ai do të shkarkohet”, deklaroi Thaçi.
Ai e lidhi këtë mundësi edhe me zhvillimet e fundit brenda LDK-së, përfshirë rikthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në parti, duke vlerësuar se këto zhvillime, sipas tij, nuk i kanë sjellë përfitim partisë. “Çdo takim që ndodh, fillimisht duhet me i pri rregullimi i çështjeve të brendshme.
Mendoj që këtu është duke shkuar në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme”, tha Thaçi.
Duke folur për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, Thaçi ka kundërshtuar edhe cilësimin e tij si kandidat konsensual. “Sejdiu nuk ka qenë kandidat konsensual, sepse rekrutimi i tij është bërë nga LDK, kurse avancimi i tij më vonë është bërë nga PDK dhe është rehabilituar nga LVV”, përfundoi Thaçi./teve1 Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





