Sipas informacionit operacional të datës së sotme, në Shqipëri janë raportuar 12 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 4 janë shuar plotësisht.
Për përballimin e situatës janë angazhuar, krahas strukturave vendore, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive mbeten në Dajt–Qafë Priskë, ku vijon puna për shuarjen dhe është konstatuar edhe një riaktivizim, me angazhimin e 15 zjarrfikësve, 9 forcave të ADZM-së, 20 efektivëve të FA dhe 1 helikopteri.
Në Vajkal, Bulqizë, ku zjarri vijon në një sipërfaqe të gjerë me shkurre e dëllinja dhe janë angazhuar 53 forca, përfshirë 30 efektivë të FA.
Në Lundre, Mat, ku zjarri vijon në sipërfaqe pyjore, me mbështetjen e 20 efektivëve të FA dhe 1 helikopteri; si dhe në Urën e Shtrenjtë, Shkodër, ku terreni i thepisur dhe mungesa e rrugëve vështirësojnë ndërhyrjen.
Nën mbikëqyrje janë vatrat në Qafë të Helmës–Bulqizë, Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Zhejë–Kurbin.
Në Zhejë ndërhyrja u mbështet nga 3 mjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter, ndërsa aktualisht nuk raportohet vatër aktive.
Ndërkohë, janë shuar plotësisht zjarret në Sllatinë–Dibër, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës–Librazhd.
Në përgjithësi, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat aktive, ndërsa vëmendja kryesore operacionale mbetet te Dajti, Vajkali dhe Lundre, për shkak të vijueshmërisë së zjarreve, terrenit të vështirë dhe nevojës për angazhim të kombinuar tokësor e ajror.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





