Përplasja politike rreth situatës në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) në Prishtinë ka vazhduar edhe sot, pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet kanë reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me obligimin prej mbi 32 milionë eurosh që rrezikon ndërmarrjen.
Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, një ditë më parë kërkoi hetim të plotë dhe të paanshëm për kontratën e NPB-së në Lakrishtë, të lidhur në vitin 2021.
Sipas Komunës, kompania me të cilën ishte lidhur kontrata ishte themeluar vetëm një javë para shpalljes së procesit publik.
Në një konferencë për media, asamblistët e LVV-së kanë akuzuar Ramën se po paraqet në mënyrë të pavërtetë përgjegjësitë për gjendjen e NPB-së dhe kanë thënë se për këtë çështje kanë ngritur shqetësime prej vitesh.
Asamblisti Egzon Azemi tha se LVV-ja kishte paralajmëruar vazhdimisht për problemet në NPB, duke pretenduar se kërkesat e tyre për trajtimin e çështjes në Kuvendin Komunal ishin bllokuar nga partitë e tjera.
Ai kritikoi gjithashtu Komunën e Prishtinës për mungesën e përfaqësuesit të saj ligjor në procesin gjyqësor, duke thënë se çështja tashmë ndodhet në shkallë të dytë. “Në një proces ku sot flitet për 32 milionë euro që tashmë, sipas vendimit të shkallës së dytë, Ndërmarrja Publike i ka obligim ndaj operatorëve privatë, Komuna nuk e ka dërguar as përfaqësuesin e vet ligjor në seancën ku po shqyrtoheshin provat dhe ku u dha fjala përfundimtare”, deklaroi Azemi.
Sipas tij, kjo tregon, siç e quajti ai, “hipokrizinë” e kryetarit Rama.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





