Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje që përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave që ende mungojnë nga lufta në Kosovë të jenë të fokusuara te viktimat dhe familjet e tyre.

Në një komunikatë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, Due ka thënë se, pavarësisht përparimit të bërë, mbi 1 mijë e 500 persona ende mbeten të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. “Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet.

Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë”, ka deklaruar Due.


- Advertisement -

Ai ka përmendur edhe gjetjen e fundit të mbetjeve njerëzore në Zubin Potok, që besohet se u përkasin së paku 23 individëve, duke e cilësuar atë si dëshmi se përgjigjet mund të gjenden edhe pas dekadash pritjeje. “Ne qëndrojmë pranë të gjitha familjeve që kanë pritur kaq gjatë për ndriçimin e fatit të tyre dhe bëjmë thirrje që të drejtat dhe nevojat e tyre të qëndrojnë në qendër të përpjekjeve.

UNMIK-u do të vazhdon përkrahjen e ndihmës psikologjike dhe mënyrave të tjera të ndihmesës për këto familje.”, nënvizoi PSSP Due, duke vënë në pah se tematika e Ditës Ndërkombëtare të këtij viti është “Viktimat në rend të parë.

Të veprohet tani”.

Ai nxit zbatimin e plotë të Deklaratës së BE-së mbi personat e zhdukur, angazhimin e vazhdueshëm përmes Grupit të punës për personat e zhdukur të udhëhequr nga KNKK, dhe përpjekjet e përbashkëta midis Beogradit dhe Prishtinës për të gjetur dhe identifikuar të zhdukurit.

Kjo ditë përkujtimore gjithashtu shënon 20-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukjet me Detyrim, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2006.

UNMIK do të vazhdojë të mbështesë familjet e personave të zhdukur në kërkimin e realizimit të të drejtës së tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e të afërmve të tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *