Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka shprehur shqetësim për, siç thotë, rritjen e një diskursi stigmatizues, përjashtues dhe potencialisht nxitës të intolerancës fetare në hapësirën publike dhe online.
Sipas PREVENT-it, gjatë periudhës së fundit janë intensifikuar përplasjet, akuzat dhe kundërakuzat rreth Islamit, praktikimit të fesë dhe rolit të komunitetit mysliman në shoqërinë kosovare.
Instituti vlerëson se në raste të caktuara ky diskurs po kalon nga kritika ndaj ideve dhe praktikave fetare në përgjithësime ndaj besimtarëve, duke krijuar, sipas tij, një atmosferë gjithnjë e më konfrontuese.
Kjo dinamikë, sipas PREVENT-it, është bërë veçanërisht e dukshme pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit.
Instituti i referohet pretendimeve të Prokurorisë Speciale dhe raportimeve publike mbi aktakuzën, ku përmendet edhe një dokument që lidhet me synimin për të krijuar perceptimin e Kosovës si shoqëri e radikalizuar dhe ekstremiste.
PREVENT ka rikujtuar se liria e besimit, ndërgjegjes dhe fesë garantohet me nenin 38 të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa neni 39 garanton statusin dhe autonominë e bashkësive fetare.
Në reagim theksohet se në një shoqëri demokratike kritika ndaj fesë, institucioneve fetare dhe praktikave fetare është legjitime dhe pjesë e debatit publik.
PREVENT vlerëson se normalizimi i gjuhës përjashtuese nga cilado anë mund të thellojë polarizimin shoqëror dhe fetar, të dobësojë kohezionin dhe, në rrethana të caktuara, të krijojë terren për tensione dhe incidente.
Për këtë arsye, instituti u ka bërë thirrje institucioneve, mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare që të tregojnë përgjegjësi të shtuar në mënyrën se si trajtohen këto tema.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





