Derisa shkollat në Kosovë po përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, rënia e numrit të nxënësve dhe ndryshimet në mënyrën e financimit të arsimit po paraqesin një sfidë të re për komunat.
Sipas një raporti të Institutit GAP, gjatë vitit 2026 Ministria e Financave ka zbatuar në mënyrë strikte formulën e ndarjes së Grantit Specifik të Arsimit, duke u bazuar në numrin real të nxënësve.
Si pasojë, sipas GAP-it, nga granti i arsimit janë larguar 3,101 pozita të mësimdhënësve në nivel vendi.
Në 25 komunat e analizuara me më shumë se 30 mijë banorë, nga 27,282 mësimdhënës të paraqitur nga komunat, janë aprovuar 24,200 pozita.
Gjakova dhe Kamenica janë ndër komunat me hendekun më të madh.
Ndër komunat që përballen me hendek të konsiderueshëm mes pozitave të kërkuara dhe atyre të aprovuara është edhe Gjakova, ku 290 mësimdhënës kanë mbetur jashtë grantit.
Në Kamenicë situata paraqitet edhe më e theksuar.
GAP-i e lidh këtë situatë me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve.
Rënia e numrit të nxënësve, sipas raportit, lidhet kryesisht me uljen e natalitetit, emigrimin dhe lëvizjet demografike nga zonat rurale drejt zonave urbane.
Raporti vëren gjithashtu se, pavarësisht rënies së numrit të nxënësve, komunat vazhdojnë të kenë një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve, duke krijuar kosto shtesë për buxhetet lokale.
Sipas GAP-it, për vitin 2026 komunat po detyrohen të mbulojnë mbi 23 milionë euro për pagat e mësimdhënësve që nuk mbulohen nga Granti Specifik i Arsimit.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës, Selami Klaiqi, ka thënë se komuna është duke ndërmarrë hapa për përshtatjen e rrjetit shkollor me numrin real të nxënësve.
Klaiqi ka theksuar se një nga sfidat kryesore mbetet rënia e numrit të nxënësve, duke bërë të ditur se në shumicën e klasave, veçanërisht në zonat rurale, numri i nxënësve është njëshifror.
Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë ka paralajmëruar se, për shkak të vështirësive financiare, do të bëjë harmonizimin gradual të normave mësimore.
Edhe në Gjakovë, rënia e numrit të nxënësve ka sjellë ndryshime në organizimin e rrjetit shkollor.
Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2018–2026 janë ndërmarrë masa për racionalizimin e rrjetit shkollor, përfshirë integrimin dhe fuzionimin e paraleleve të ndara në kuadër të shkollave amë.
Drejtoria vlerëson se formula aktuale e financimit dhe përcaktimit të pozitave në arsim paraqet një tjetër problem.
Për vitin shkollor 2026/2027, kjo drejtori ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare të planifikimit të integrimit dhe fuzionimit të disa shkollave të pavarura me shkolla të tjera gjeografikisht të përshtatshme.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjakovë, Durim Halilaj, ka thënë se problematika me numrin e pozitave të aprovuara nga Ministria e Financave është duke i prekur komunat.
Raporti i GAP-it, ndërkaq, e vendos këtë problem në një kontekst më të gjerë nacional, duke argumentuar se rënia e numrit të nxënësve dhe mënyra aktuale e financimit po krijojnë presion të shtuar mbi buxhetet komunale.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





