Kosova në Rrezik për Shkak të Mungesës së Diplomacisë dhe Institucioneve të Forta

Kosova po pëson dëme të mëdha në arenën ndërkombëtare si pasojë e mungesës së institucioneve të konsoliduara dhe pasivitetit në diplomaci, ndërsa kjo situatë po i krijon hapësirë Serbisë për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe analistë politikë.

Sipas tyre, ngërçi politik i zgjatur dhe mungesa e një përfaqësimi të plotë institucional jashtë vendit po e dobësojnë pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur Serbia vazhdon aktivitetet e saj diplomatike kundër Kosovës.

Drejtori i Institutit të Konsulencës Politike “POLCON”, Fitim Mulolli, tha se mungesa e Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe pasiviteti diplomatik kanë pasoja të mëdha për sovranitetin ndërkombëtar të vendit.


- Advertisement -

Mulolli tha se Serbia vazhdon të lobojë në mënyrë aktive kundër pavarësisë së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ndërsa mungesa e përfaqësimit të Kosovës i krijon hapësirë Beogradit që të veprojë pa kundërpërgjigje.

Ai vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me partnerët kryesorë ndërkombëtarë janë dëmtuar, duke përmendur pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ngecjet në procesin e integrimit evropian.

Sipas Mulollit, kjo situatë ka krijuar një avantazh për Serbinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa liderët kosovarë vazhdojnë të mos gjejnë marrëveshje për themelimin e institucioneve.

Kurse, analisti politik Jeton Halimi tha për Ekonomia Online se Kosova ka çaluar në diplomaci dhe se marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në duhet të jenë ndër prioritetet e para pas themelimit të institucioneve.

Ai shtoi se dëmtimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe problemet në menaxhimin e situatës në veri kanë ndikuar në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas tij, mbështetja amerikane mbetet thelbësore për Kosovën dhe për avancimin e saj në arenën ndërkombëtare. ‘Pa SHBA-të e dinë shumë mirë edhe politikanët e popullit të Kosovës nuk mund të ecim asnjë hap më tutje.

Pa SHBA-në e përsëris prapë besoj që shteti i Kosovës do të jetë i cunguar i mangët dhe nuk ka krah për të shkuar më tutje pa përkrahjen e SHBA-ve dhe miqve tanë,’ tha ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *