Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi i sotëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka qenë për të diskutuar ekskluzivisht për figurën e presidentit të ri.
Pas takimit, ai ka thënë se të dy liderët do të shkojnë te partitë e tyre për të biseduar lidhur me emrat e mundshëm, për çka tha, se në këtë fazë nuk mund t’i përmend. “Ne sot diskutuam hollësisht për kriteret e standardet që duhet t’i këtë figura e presidentit ose presidentes…Por meqë është proces i ndjeshëm, pa shkuar ne te subjektet tona për konsultime në këtë fazë nuk është ky vendi ku unë mund të flasë për emra”, ka thënë Kurti.
Kreu i VV-së ka shtuar se subjekti i tij politik dhe LDK-ja kanë hyrë në një fazë serioze të diskutimeve. “Kemi nisur bisedime shumë serioze mes VV-së dhe LDK-së.
Ky takim ishte ekskluzivisht për figurën presidenciale, kriteret, parimet dhe rrethanat në të cilat ndodhemi.
Duam president ose presidente meritore kushtetuese, që reflekton vlerat e shoqërisë tonë, që ka kontribut për popullin e profesion të caktuar dhe nuk ngjallë dilema për rolin që do të ushtrojë në pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





