Braktisja e Blegtorisë në Bjeshkët e Deçanit: Nostalgjia e Banorëve për Ditët e Mëparshme

Në të kaluarën, jo shumë të largët, këto bukuri përrallore të bjeshkëve të Deçanit, gjatë muajve të verës, ishin të banuara nga një numër i madh banorësh të kësaj ane.

Bjeshkët e pasura me kullosa ishin të mbushura edhe me bagëti.

Por, me kalimin e viteve, numri i tyre ka pësuar rënie drastike.


- Advertisement -

Banorët e paktë që sot ngjiten në bjeshkë gjatë muajve të verës, e kujtojnë me nostalgji kohën kur stanet ishin plot me njerëz, ndërsa bjeshkët me tufa bagëtish. ‘Kënaqësia ka qenë shumë e madhe.

Ka pasur burra, gra e fëmijë, ndërsa sot nuk i sheh.

Jemi tri stane, nga dy anëtarë, në gjithë këtë bjeshkë, në këtë pasuri që na e ka falur Zoti.

Por, ne nuk jemi duke ia ditur rëndësinë.

Këtu fëmija i ka bërë tre muaj verë dhe një vit injeksion nuk ka marrë,’ tha Xen Ferizi, blegtor.

Edhe për Adem Matajn, boshatisja e bjeshkëve është pasojë e largimit të banorëve dhe braktisjes së blegtorisë. ‘Pak banorë po dalin tash.

Përpara ishin mbushur stanet me banorë.

Ka pasur fëmijë, dele e lopë, sepse blegtoria ka qenë në kulm.

Tash popullata ka ikur, ka marrë mërgimin.

Për çudi, investime ka shumë në bjeshkë, por banorë ka pak.

Vendi është shumë i bukur.

Këtë ajër të bjeshkëve të Deçanit nuk e di kush e ka, uji është i mirë, ajri i pastër, rrugët janë të mira, por interesimi i popullatës nuk është më.

Janë larguar nga blegtoria.

Vijnë si turistë dhe qëndrojnë nga një apo dy net,’ theksoi Adem Mataj.

Por, përveç zbrazjes së bjeshkëve, mungesa e bagëtive po lë gjurmë edhe në natyrë.

Lëndinat dhe kullosat, që dikur mirëmbaheshin nga tufat e bagëtive, sot po mbulohen gradualisht nga molikat. ‘Këtu, unë i mbaj mend rreth 30 tufa delesh, me nga 100 krerë, por tash nuk janë.

Kjo mua po më brengos.

Pse nuk po i mbajnë, kur kanë mundësi?

Ne përpara kemi ardhur në këmbë, me qerre e me kuaj, ndërsa tash me makinë mund të shkosh deri te stani dhe prapë nuk i mbajnë.

Për çfarë arsyeje, unë nuk po mund ta kuptoj këtë popullatë.

Shihe këtë bukuri!

Krejt ka qenë lëndinë, ndërsa tash shih si është bërë.

Kafshët e kanë mbajtur bjeshkën.

Edhe pak dhe krejt do të mbulohet,’ tha Beqir Shehu.

Të njëjtën pamje e kujton edhe Halil Mataj.

Ai thotë se dikur, nga bjeshkët deri në majën e Rupës, shtrihej një hapësirë te madhe kullosash. ‘Deri në majën e Rupës krejt ka qenë lëndinë.

Tash, pas luftës, bagëti nuk ka, sepse bagëtia e ka mbajtur bjeshkën.

Siç po e shihni, është mbyllur edhe kjo lëndinë.

Ka qenë kënaqësi, edhe pse me kushte të vështira.

Me bagëti, barinjtë uleshin te Kroni i Sheremetit, bisedonin derisa shpërndaheshin nëpër bjeshkë bashkë me bagëtinë,’ tha Halil Mataj.

Sipas zyrtarëve të Komunës së Deçanit, në vitet ’90 vetëm në bjeshkët e kësaj komune numri i bagëtive kalonte mbi 20 mijë krerë.

Sot, kjo shifër është shumë më e ulët, ndërsa bashkë me braktisjen e blegtorisë po ndryshon edhe peizazhi i bjeshkëve të Deçanit.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *