Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rastin e rrahjes dhe plagosjes me armë zjarri, që ka ndodhur një ditë më parë në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 10 gusht 2026, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, e cila ka eskaluar në rrahje.
Gjatë incidentit, një person është plagosur me armë zjarri.
Me vendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë tre të dyshuarit me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., ndërsa një person i mitur është ndaluar për 24 orë.
Prokuroria ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe i ka dorëzuar Gjykatës Themelore në Gjakovë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tre të pandehurve.
H.D. dyshohet për veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





