Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka vendosur largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve të Njësisë Biznesore ‘Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë’.
Vendimi është nxjerrë më 10 gusht 2026, me numër protokolli 7134, ndërsa punonjësit me inicialet Z.R. dhe H.K. janë larguar përkohësisht nga puna nga kjo datë deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni Disiplinor.
Trepça ka bërë të ditur se dyshimet lidhen me shkelje të rënda të detyrave të punës dhe vendimi është marrë pas dyshimeve se kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e dhëna, duke organizuar transportimin e xehes jashtë orarit të rregullt të punës.
Rasti pritet të shqyrtohet nga Komisioni Disiplinor, i cili do të marrë vendimin përfundimtar.
Dyshimet lidhen me nenin 10, paragrafët 1.1, 1.3 dhe 1.9 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





