Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se deri më tani askush nuk ka kërkuar mbështetjen e kësaj partie, ndërsa ka theksuar se PDK-ja nuk ka zhvilluar diskutime për ndarjen e pozitave. ‘Tash kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Askush nuk ka kërkuar përkrahje prej neve.
Edhe në të kaluarën nuk është që i kanë përkrahur kandidatët e PDK-së.
Sa i përket çështjes së nënkryetarëve, ne e kemi një nënkryetar dhe, si parti e dytë për nga numri i ulëseve, e përkrahim kandidatin e propozuar nga PDK-ja për atë pozitë’, tha Hamza para fillimit të seancës konstituive.
Ai ritheksoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se prioritet janë programi dhe politikat, e jo ndarja e posteve. ‘Qëndrimi i PDK-së është konsistent.
Ne kemi shkuar në zgjedhje, kemi kërkuar votën e qytetarëve me një program për ekonomi, drejtësi dhe energji.
Nëse nuk kemi dakordim për këto prioritete, është absurde të flasim për tema të tjera’, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka pasur bisedime për pozita institucionale, Hamza u përgjigj shkurt: ‘Nuk kemi diskutuar fare.’ Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





