Rrëfenja e ish-bashkëshortit të Jennifer Lopez për marrëdhënien e tensionuar me Diddy

Ojani Noa, ish-bashkëshorti i parë i Jennifer Lopez, ka bërë një sërë pretendimesh të reja për marrëdhënien e artistes me Sean ‘Diddy’ Combs, duke rrëfyer edhe për disa përballje të tensionuara me reperin.

Në një intervistë për The US Sun, Noa tha se martesa e tij me Lopez ishte e lumtur në fillim, por se gjithçka ndryshoi kur këngëtarja nisi punën për albumin e saj debutues ‘On the 6’.

Sipas tij, Diddy, i cili ishte angazhuar si producent në disa prej këngëve, u afrua gjithnjë e më shumë me Lopez.


- Advertisement -

Noa pretendon se filloi të dyshonte për një lidhje mes tyre pasi miq të tij i kishin treguar se i kishin parë shpesh bashkë në hotele në Miami.

Ai shtoi se Lopez i kishte mohuar vazhdimisht zërat, duke i thënë se marrëdhënia me Diddyn ishte vetëm profesionale.

Megjithatë, sipas tij, një fotografi ku ajo shfaqej ulur në prehrin e reperit e bindi se po e tradhtonte, çka çoi në debate të ashpra mes tyre.

Ish-bashkëshorti i artistes rrëfen gjithashtu se vite më vonë u përball me Diddyn në festën e ditëlindjes së asistentes së Jennifer Lopez në Los Angeles.

Ai pretendon se i kërkoi reperit të largohej nga festa, por situata u tensionua dhe të dy shkëmbyen fyerje.

Noa shkon edhe më tej në rrëfimin e tij, duke pretenduar se Lopez i kishte thënë se Diddy e kishte kërcënuar atë dhe familjen e saj pasi ajo ishte përpjekur t’i jepte fund lidhjes.

Sipas tij, në një rast tjetër këngëtarja e telefonoi e frikësuar pasi reperi kishte shkuar pranë shtëpisë së saj dhe po bërtiste jashtë.

Noa thotë se shkoi menjëherë në vendngjarje dhe u përball me Diddyn, ndërsa policia mbërriti pak më vonë dhe reperi u largua.

Deri më tani, këto deklarata mbeten pretendime të Ojani Noa.

Jennifer Lopez dhe Ojani Noa ishin të martuar nga viti 1997 deri në 1998.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com


- Advertisement -