Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 56-të.
Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Qeverisë.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan kastë e vjetër politike.
Një i moshuar, pjesëmarrës në protestë u shpreh se “kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë”. “Nuk ka zbatuar të drejtat e njeriut.
E kanë shkelur që me tokat.
Në pushtetin lokal kërkon të drejtë nuk zbatohet, çfarë dreq qeverie është kjo kur nuk zbaton të drejtat themelore të njeriut”, tha ai.
Një tjetër i ri, pohoi nga protesta së “Shqipëria është e korruptuar me banda”, ndërsa u ndal te takimi i Kryeministrit Rama pak ditë më parë në Theth, ku tha se “vetëm 20 persona ishin të pranishëm”. “Rama në mbledhje kishte 20 veta dhe nuk ishte në Theth, ishte thjesht propagandë.
Shqipëria është e korruptuar me banda. 6 çuna i kanë futur në byrektore dhe i kanë rrahur.
Mua nuk më kanë prekur se kam nënshtetësi britanike”, tha ai.
Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Në përfundim, pjesëmarrësit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





