Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Kosovë ka njoftuar se është zgjatur edhe për 10 ditë afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte 2026, me qëllim që të gjithë fermerët të kenë mundësi të përfundojnë aplikimet e tyre.
Sipas njoftimit, afati shtesë ka hyrë në fuqi më 22 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2026, në orën 16:00.
Aplikimet vazhdojnë të dorëzohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
MBPZHR-ja u ka bërë thirrje fermerëve që ende nuk kanë aplikuar të shfrytëzojnë afatin shtesë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm sipas kategorisë së mbështetjes për të cilën aplikojnë.
Ministria rikujton se kriteret e pranueshmërisë dhe dokumentacioni i kërkuar ndryshojnë sipas sektorëve dhe masave mbështetëse, ndërsa kontrollet administrative dhe ato në terren do të zhvillohen në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.
Për informata shtesë mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e aplikimit, fermerët mund t’i drejtohen MBPZHR-së, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ose Drejtorive Komunale për Bujqësi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





