Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kompensojnë pa vonesa dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo për vizita simbolike.
Në një reagim, Bordi i AKK-së shprehu shqetësimin e thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në komunat e vendit, duke vlerësuar të papranueshme zvarritjen e kompensimit të dëmeve nga vërshimet e viteve të kaluara. ‘Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të reja, një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar.
Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë’, thuhet në reagimin e AKK-së.
Sipas Asociacionit, komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre, ndërsa tani përgjegjësia bie mbi institucionet qendrore. ‘Komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre.
Tani është përgjegjësi e institucioneve qendrore të veprojnë pa vonesa’, thekson AKK.
Bordi i Asociacionit ka përsëritur kërkesat drejtuar Qeverisë për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e viteve të kaluara, ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit, si dhe themelimin e një Fondi Emergjent për Komunat. ‘Ka ardhur koha për veprime konkrete.
Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale’, thotë reagimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





