Sfida e Përputhjes së Programeve Universitare me Nevojat e Tregut të Punës në Kosovë

Përputhja e programeve universitare me nevojat e tregut të punës mbetet një ndër sfidat kryesore të arsimit të lartë në Kosovë.

Në podkastin e Radios Evropa e Lirë, ish-zëvendësministri i Arsimit dhe eksperti i fushës, Dukagjin Pupovci, thotë se në Kosovë mungojnë analiza të mirëfillta për nevojat e tregut të punës.

Sipas tij në universitetet publike vazhdon të ketë numër të madh studentësh në fusha si ekonomia dhe juridiku, ndonëse tregu i punës nuk ka nevojë për aq shumë kuadro.


- Advertisement -

Ai përmend se 30 për qind e studentëve në Kosovë studiojnë në fushën e biznesit, administrimit dhe ligjit, që sipas tij shpesh herë detyrohen të punojnë punë për të cilat nuk kanë pasur nevojë të studiojnë fare.

Sipas Pupovcit, Ministria e Arsimit duhet të ketë një politikë më të qartë për miratimin e kuotave të regjistrimit dhe të zhvillojë dialog me universitetet për t’i përshtatur ato më mirë me nevojat e tregut.

Pupovci vlerëson se zgjedhja e studimeve duhet të mbështetet te prirjet personale, por edhe te mundësitë reale për punësim.

Ai thotë se tregu i punës kërkon më shumë njohuri praktike dhe shkathtësi të buta, si komunikimi dhe planifikimi.

Pupovci thotë se universitetet publike duhet t’i reformojnë programet e studimit, duke ofruar profile më të gjera që u japin studentëve më shumë mundësi punësimi.

Ai vëren edhe një rënie të interesimit për studime, veçanërisht te djemtë.

Sipas tij, pothuajse 30 për qind e maturantëve djem nuk e vazhdojnë më arsimin e lartë, pasi konsiderojnë se me shkathtësitë e fituara në arsimin e mesëm mund të punojnë.

Kjo, sipas Pupovcit, ka ndikuar edhe në përbërjen gjinore të arsimit të lartë, ku mbi 60 për qind e studentëve sot janë vajza dhe gra.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *