Ndërsa brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohet një proces që mund të çojë në thirrjen e Kuvendit të partisë, udhëheqja e saj është angazhuar edhe në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se këto janë dy procese të ndara dhe se partia do të punojë që zhvillimet e brendshme të mos ndikojnë në negociatat politike.
Ai flet për kushtet e LDK-së për një marrëveshje me LVV-në, duke theksuar se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbulojë njëkohësisht formimin e institucioneve, zgjedhjen e presidentit dhe dakordimin për prioritetet kryesore shtetërore.
Kërkesat tona janë parimore.
Ato nuk kanë të bëjnë me emra të përveçëm apo me pozita të caktuara politike.
Ne kemi thënë se çështja e presidentit dhe përgjegjësitë e tjera institucionale duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme.
Pra, ose merremi vesh për të gjitha në një pako, ose nuk merremi vesh për asgjë.
Ky është parimi ynë kryesor.
Parimi i dytë lidhet me proceset e rëndësishme politike që e presin Kosovën, si në planin e brendshëm – zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore – ashtu edhe në politikën e jashtme, përfshirë rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Për këto çështje duhet të ketë dakordim paraprak.
Vetëm pas kësaj vjen ndarja e përgjegjësive institucionale.
Kjo nuk është më e rëndësishmja për ne.
LDK-ja nuk e kushtëzon marrëveshjen me emra ose poste të caktuara, por me agjendën shtetërore, interesin e përgjithshëm dhe parimin e bashkëpunimit institucional”, tha Haziri.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





