Ministri i Brendshëm dhe presidenti i SPS-së, Ivica Daçiq, mbrojti ministren e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas reagimeve të stuhishme të shkaktuara nga deklarata e saj skandaloze se “do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998”.
Daçiqi vlerësoi se kritikat drejtuar Paunoviqit ishin “të turpshme dhe hipokrite”, duke pretenduar se të njëjtët njerëz që e akuzojnë atë se gjoja ka bërë thirrje për spastrim etnik kanë heshtur për vite me radhë për, siç deklaroi ai, spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. “Dua të them se është turp që deri më tani nuk kam dëgjuar kurrë fjalë nga politikanë vendas që dënojnë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova dhe Metohija.
Në kushtet kur edhe sot kemi emigrim të detyruar të serbëve nga Kosova dhe Metohija, ndryshim të strukturës etnike, për të mos përmendur presionet shekullore, emigrimet dhe dëbimet e serbëve nga Kosova dhe Metohija, gjoja po flitet dhe akuzohet për spastrim etnik në Kosovë dhe Metohi”, tha Daçiqi.
Sipas imagjinatës së tij, rreth 240.000 serbë u dëbuan nga Kosova në vitin 1999, ndërsa, siç pretendon ai, më pak se 10.000 u kthyen. “Dhe tani Snezhana Paunoviq është fajtore për spastrim etnik?
Turp të keni!
Ajo tha se kushdo që nuk e ndien Serbinë duhet të kthehet në vendin e tij të origjinës, në vendin e Shqipërisë. Çfarë lloj spastrimi etnik është ai në të cilin sot ka më pak serbë sesa ka shqiptarë?” tha Daçiqi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




