Sekretari i LDK-së: Nuk ka dorëzime të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë dorëzim të nënshkrimeve në selinë e partisë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.

Ferati ka thënë se raportimet për një iniciativë të tillë nuk janë të bazuara në ndonjë informacion zyrtar, duke i cilësuar ato si supozime. “Nuk pashë se pati ndonjë burim të informatës në raportimin e atyre portaleve.

Kjo është në nivel të supozimit.


- Advertisement -

Unë te selia jam dhe nuk ka diçka, as dorëzim dhe as informacion zyrtar”, ka deklaruar Ferati.

Deklarata e tij vjen pas raportimeve se të martën, më 14 korrik, do të dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të LDK-së për votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

KosovaPress javën e kaluar ka raportuar ekskluzivisht se kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po e udhëheq këtë proces, duke vizituar degët e LDK-së në nivel vendi për të kërkuar nënshkrimet e delegatëve për votëbesimin ndaj Abdixhikut.

Kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut po vjen pas pakënaqësive brenda kësaj partie për rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

Fillimisht u kërkua dorëheqja e Abdixhikut, por i njëjti e kishte konsideruar si të papranueshme dorëheqjen.

LDK-ja në këto zgjedhje ka pasur vetëm 16.69 për qind, apo 18 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin, por vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.

Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.

Në janar të këtij viti, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit të kuvendit të LDK-së, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *