Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ofruar 50 mijë euro dorëzani në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në përpjekje për t’u liruar me kusht në rastin e dytë, ku akuzohet për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Klan Kosova, sipas të cilit kërkesa është dorëzuar nga mbrojtja e Thaçit, e udhëhequr nga avokatja Sofie Menegon.
Nëse lirohet me kusht, Thaçi është zotuar se do të banojë me bashkëshorten dhe djalin e tij në një shtëpi në periferi të Prishtinës dhe do të respektojë të gjitha kushtet që mund t’i vendosë gjykata.
Ai ka premtuar gjithashtu se nuk do të kontaktojë asnjë nga të bashkakuzuarit, dëshmitarët apo persona që mund të kenë lidhje me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara.
Tre të bashkakuzuarit e tij në këtë rast – Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj – ishin liruar më herët me kusht pasi kishin ofruar dorëzani prej gjithsej 130 mijë eurosh dhe kishin pranuar të zbatonin një sërë kushtesh të vendosura nga gjykata.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





