Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila dyshohet se u dhunua nga tri bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj autorëve.
Ata ngrenë gjithashtu akuza për mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse, duke pretenduar se denoncimi i bërë menjëherë në polici nuk u shoqërua me veprime konkrete për javë të tëra.
Sipas familjes, e mitura u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me shenja të dukshme dhune dhe hematoma në trup.
Por familjarët pretendojnë se nga institucioni shëndetësor nuk pati një njoftim të menjëhershëm për organet ligjzbatuese.
Nëna e 17-vjeçares tregon se mësoi për gjendjen e vajzës vetëm pasi bashkëshorti e telefonoi duke i thënë se ajo ndodhej në spital.
Pas denoncimit në Policinë e Fierit më 8 qershor, 17-vjeçarja është marrë në pyetje në prani të një psikologeje.
Efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj, ndërsa familjarët thonë se iu premtua se çështja do të trajtohej me përparësi.
Megjithatë, sipas tyre, pas largimit nga komisariati nuk pati më asnjë komunikim zyrtar.
Një tjetër shqetësim i familjes lidhet me një video që, sipas deklarimit të 17-vjeçares, ishte regjistruar gjatë dhunës nga vetë autorët.
Familjarët pretendojnë se për javë të tëra nuk u ndërmorën veprime për sekuestrimin e telefonave celularë dhe sigurimin e provave.
Nëna e vajzës tregon se është drejtuar disa herë në polici për të mësuar ecurinë e hetimeve, por pa marrë informacion të qartë.
Familja pretendon se për rreth një muaj e gjysmë nuk ka pasur kontakt nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale, duke thënë se mbështetja institucionale ka munguar në një moment të vështirë për të miturën.
Sipas nënës, reagimi i institucioneve u shtua vetëm pasi rasti u bë publik në media.
Ndërkohë, 17-vjeçarja është larguar nga banesa e saj dhe po qëndron te të afërmit, për shkak të frikës dhe pasigurisë.
Familjarët kërkojnë që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë, ndërsa kërkojnë verifikim edhe për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimin fillestar.
Dua drejtësi për vajzën time.
Sot i ndodhi asaj, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër.
Vajza ime po shkonte të ndiqte një kurs, nuk po bënte asgjë të gabuar.
Ajo duhet të mbrohej dhe jo të dhunohej”, është shprehur nëna.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





