Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar sjell për publikun filmin e shumëvlerësuar të animuar fantastiko-shkencor Arco, me regji të Ugo Bienvenu, një nga veprat më të spikatura të animacionit evropian të këtij viti.
Filmi do të shfaqet më 16 korrik, në ora 20:30, në Kino Liqeni, në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit në Pejë.
Sa larg mund ta çojmë imagjinatën tonë për të ardhmen?
A duhet që çdo vizion për të nesërmen të jetë domosdoshmërisht distopik?
A ka ende shpresë për njerëzimin?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet që ngre Arco, një film që sfidon mënyrën se si e mendojmë të ardhmen dhe marrëdhënien tonë me të.
I shfaqur premierë në Festivalin e Filmit në Cannes, Arco paraqet një botë imagjinative të vendosur në vitin 2932, ku njerëzit jetojnë mes reve dhe udhëtojnë nëpër kohë me kostume fluturuese të fuqizuara nga ylberi.
Protagonisti, Arco, një djalë dhjetëvjeçar, niset drejt së kaluarës për të parë dinosaurët, por një aksident e dërgon në vitin 2075.
Në këtë realitet të afërt, ai përballet me një botë ku njerëzit bashkëjetojnë me robotët, ndryshimet ekstreme klimatike janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa afërsia dhe lidhjet njerëzore po zbehen gjithnjë e më shumë.
Takimi me Irisin, një vajzë e moshës së tij, shndërrohet në fillimin e një aventure të jashtëzakonshme që eksploron kuptimin e miqësisë, empatisë dhe marrëdhënieve njerëzore.
Me një stil vizual mahnitës të frymëzuar nga estetika anime, Arco ofron një përvojë kinematografike që ndërthur aventurën, fantashkencën dhe reflektimin filozofik.
Filmi shqyrton thelbin e qenies njerëzore, mënyrën se si ndryshojmë me kalimin e kohës dhe na kujton se, edhe përballë sfidave më të mëdha, e ardhmja mund të ndërtohet mbi shpresën, imagjinatën dhe lidhjet e sinqerta mes njerëzve.
Anibar do të mbahet në Pejë nga 12 deri më 18 korrik, duke sjellë një program të pasur me filma ndërkombëtarë, aktivitete edukative, diskutime dhe ngjarje kulturore për të gjitha moshat.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





