Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi kërkon reagim nga BE për ndalimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian ndaj ndalimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke thënë se Serbia po ua kufizon lëvizjen pa bazë ligjore.

Ibishi tha se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet ta shmangin kalimin nëpër Serbi, ndërsa qytetarët e tjerë të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimit.

Ibishi tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duhet të dalë me një qëndrim zyrtar, ndërsa çështja duhet të adresohet edhe në Bashkimin Evropian. “Unë do doja të ishte qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që në një formë t’u apelojë qytetarëve, mirëpo unë apeloj diçka që duhet gjithsesi.


- Advertisement -

Ajo është rruga ndërkombëtare, qoftë nëpër Serbi apo në vende të tjera.

Serbia është pjesë e lëvizjes së lirë të Bashkimit Evropian dhe çdo ankesë e jona duhet t’i drejtohet Bashkimit Evropian me qëllim që në një formë të ndikojë, reciprokisht, që edhe atyre mund t’ua kushtëzojë lëvizjen e lirë.

Sikur që Serbia po ua kushtëzon qytetarëve tanë pa asnjë pretekst”, tha ai.

Duke komentuar thirrjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për shmangien e kalimit nëpër Serbi, Ibishi tha se një rekomandim i tillë është i arsyeshëm për ish-pjesëtarët e UÇK-së. “Tash janë disa çështje.

Organizata e Veteranëve të Luftës kanë apeluar se duhet t’i ikin pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çka është me vend, se ata qysh nga paslufta kanë filluar me shpalljen e fletarresteve gjithandej për pjesëtarët e UÇK-së së Kosovës dhe gjithsesi ata do të ndërmarrin masa duke pretenduar procese të ndryshme”, tha ai për Ekonomia Online.

Sipas tij, qytetarët e tjerë nuk duhet ta shmangin domosdoshmërisht tranzitin nëpër Serbi, por duhet të tregojnë kujdes. “Por për qytetarët e tjerë assesi mos t’i ikin atij destinacioni, por të jenë të kujdesshëm.

Postimet e ndryshme që i bëjnë, shërbimi i inteligjencës së Serbisë po i përcjell, edhe ajo po është gjithkund në bashkëpunim me policinë, po bën ndalime, maltretime, paraburgime e të tjera”, tha ai.

Ibishi komentoi edhe rastin e bërë publik nga avokati Arianit Koci, sipas të cilit një qytetar nga Kosova pretendon se është detyruar t’u japë 2 mijë euro policëve serbë për të shmangur arrestimin. “Ndërsa ky rasti i fundit që ndodhi, rreth asaj mendoj që është çështje korruptive e policisë së Serbisë, e cila në rastin konkret s’ka pasur kurrfarë baze t’ia kërkojë 2 mijë euro.

Për çfarë arsye?

Domethënë ndoshta ajo është çështje e vendimit të gjykatës, s’është një vendim administrativ apo gjobë.

Nuk ka ajo gjobë, për çfarë arsye apo mbi çfarë preteksti”, tha ai.

Ai përsëriti se Bashkimi Evropian duhet të reagojë ndaj veprimeve të autoriteteve serbe dhe paralajmëroi se situata mund të çojë edhe në masa reciprociteti. “Por normal edhe duhet t’i apelojmë Bashkimit Evropian që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, se këta po kanë lëvizje të lirë gjithandej, madje edhe në Kosovë, dhe kjo do të shkojë në masa të reciprocitetit.

Tash s’po them unë që duhet të ndërmerren masa ndaj qytetarëve të Serbisë, por realiteti është që Serbia në mënyrë arbitrare po i ndalon qytetarët tanë pa kurrfarë baze, duke i arrestuar, duke u caktuar mbajtje policore, paraburgime e masa të tjera, e në fund po i lëshon pa vendim gjyqësor”, tha ai.

Më 1 korrik, në pikëkalimin kufitar në Mutivodë u arrestua Osman Selmani.

Ndonëse institucionet serbe e paraqitën fillimisht si ish-ushtar të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës sqaroi të premten se Selmani nuk figuron të ketë qenë pjesë e UÇK-së dhe u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë.

Ndërkohë, avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se një qytetar nga Kosova pretendon se është detyruar t’u japë 2 mijë euro policëve serbë në pikën kufitare Batrovc/Bajakovo, pasi, sipas tij, ishte kërcënuar me arrestim dhe paraburgim, pasi gjatë kontrollit në telefonat e fëmijëve të tij ishin gjetur fotografi me flamurin shqiptar dhe të UÇK-së.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *