Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka theksuar nevojën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.
Sipas një postimi të Sørensen në rrjetin social X, ai ka diskutuar me Gjuriqin për rëndësinë e vazhdimit të angazhimit në dialog dhe për avancimin e normalizimit ekonomik mes dy vendeve, që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Marrëveshja e Ohrit, e njohur edhe si “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit”, nuk është nënshkruar formalisht nga palët, por BE-ja e konsideron atë të detyrueshme për zbatim.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar në disa raste se procesi i zbatimit të marrëveshjeve është penguar, duke përmendur mungesën e nënshkrimit nga Serbia dhe letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq drejtuar vendeve anëtare të BE-së, ku shprehej rezervë ndaj zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
Që nga viti 2023, nuk është mbajtur ndonjë takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
Kurti ka përmendur si kusht për rikthimin në tavolinë edhe dorëzimin e Milan Radoiçiq, i dyshuar për sulmin në Banjskë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





