Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Republika e Kosovës e nderon 2 Korrikun duke mbrojtur sovranitetin e saj në çdo cep të vendit.
Këto komente ajo i bëri gjatë një diskutimi me delegatët e Kuvendit të atëhershëm, të organizuar me rastin e 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, ku morën pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Haxhiu tha se më 2 korrik 1990, delegatëve të Kosovës iu mbyllën dyert e Kuvendit, por jo edhe mundësia për të shprehur vullnetin politik të popullit. ‘Regjimi mendonte se kishte ndalur një mbledhje të Kuvendit, ndërkaq kishte lënë pas një pamje që Kosova nuk do ta harronte kurrë, delegatë që qëndronin jashtë sallës por që kishin hyrë brenda historisë,’ u shpreh ajo.
Sipas saj, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut ishte përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë për t’ia mohuar Kosovës zërin politik dhe të drejtën për vetëvendosje.
Haxhiu vlerësoi edhe rolin e akademik Gazmend Zajmi në hartimin e Deklaratës, duke theksuar se dokumenti përbëhej nga pesë pika që e përcaktonin Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës, përkatësisht konfederatës së atëhershme jugosllave.
Ajo tha se Deklarata e 2 Korrikut hapi rrugën për zhvillimet e mëvonshme historike, përfshirë Kushtetutën e Kaçanikut, referendumin për pavarësi, organizimin institucional të viteve ’90, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. ‘Republika e sotme e nderon 2 korrikun kur e mbron sovranitetin e saj në çdo cep, kur i mban institucionet në shërbim të qytetarëve dhe kur e bën të qartë se për Kosovën vendosin qytetarët e saj,’ deklaroi Haxhiu.
Në fund të fjalës së saj, ushtruesja e detyrës së presidentes shprehu mirënjohje për delegatët e 2 Korrikut dhe familjet e tyre, duke theksuar se akti i tyre përbën një nga themelet politike të Republikës së Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




