Nga performancat spektakolare të yjeve botërorë deri te mijëra adhurues që kënduan e vallëzuan nën ritmet e muzikës, Sunny Hill Festival 2025 mbetet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Kosovë.
Këto momente janë rikthyer përmes “Aftermovie 2025”, i cili përmbledh atmosferën unike që mbizotëroi gjatë tri netëve të festivalit në Prishtinë.
Pamjet sjellin energjinë e skenës kryesore, emocionet e publikut dhe performancat që bënë bashkë artistë ndërkombëtarë dhe emra të njohur të skenës shqiptare.
Mes momenteve më të spikatura të edicionit ishte rikthimi i Dua Lipës në festivalin që ajo e themeloi, performanca e Shawn Mendes në Kosovë për herë të parë, si dhe setet elektrizuese të Peggy Gou e Anyma.
Videoja përmbledh jo vetëm koncertet dhe spektaklin vizual të skenave gjigante, por edhe emocionet e mijëra pjesëmarrësve që e kthyen festivalin në një festë të madhe muzike dhe kulture.
Dritat, fishekzjarrët, duartrokitjet dhe atmosfera e krijuar në çdo cep të hapësirës së festivalit janë pjesë e kujtimeve që mbeten të gjalla edhe pas përfundimit të tij.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com





