Qytetarët e Prishtinës e kanë mirëpritur nismën për sjelljen e autobusëve elektrikë në kryeqytet, duke vlerësuar se investimi do të përmirësojë transportin publik, kushtet e udhëtimit dhe cilësinë e ajrit.
Ata kanë kërkuar bashkëpunim mes nivelit qendror dhe atij lokal për realizimin e projekteve që janë në interes të qytetarëve, ndërsa kanë theksuar se modernizimi i transportit publik është një nevojë e kahershme për kryeqytetin.
Qytetari Sadudin Hasani tha se ardhja e autobusëve elektrikë është lajm i mirë jo vetëm për banorët e Prishtinës, por edhe për qytetarët nga e gjithë Kosova që frekuentojnë kryeqytetin. “Paralajmërimi i ardhjes së autobusëve të rinj elektrikë, është lajm i mirë për qytetarët e kryeqytetit në veçanti dhe për Kosovën në përgjithësi.
Sepse në kryeqytet, siç e dimë, vijnë edhe nga qytete të tjera, e tërë Kosova.
Po ashtu, përveç për qytetarët, kjo shërben edhe për punonjësit që punojnë aty, tash të kenë kushte më të mira.
Edhe për qytetarët brenda, sepse jemi dëshmitarë që para disa kohësh autobusët nuk kanë pasur sidomos ata urbanë nuk kanë pasur as klimë as kurgjo hiq, dhe ka qenë gjendje e rëndë të udhëtojnë sidomos në stinën e verës qytetarët me ta”, tha ai.
Hasani theksoi se projektet që janë në interes të qytetarëve duhet të mbështeten nga të gjitha nivelet e pushtetit. “Jo, gjërat e mira nuk duhet me u ndalë.
Gjërat e mira duhet me u përkrahë si nga niveli qendror, si nga niveli lokal.
Dhe politika nuk duhet me i përça nivelin qendror dhe nivelin lokal aty ku përfshihen interesat e qytetarëve dhe për të mirën publike ku është”, tha ai.
Edhe qytetari Ramë Zenuni e konsideroi të rëndësishëm investimin në transportin publik, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërinstitucional. “Është një punë shumë e rëndësishme te ne.
Si Qeveria me Komunën s’po mund bien për kurrgjë në ujdi, unë mendoj që është mirë edhe qeveria edhe komuna me mendu për qytetarët e jo as për qeveri as për komunë.
Në këtë mënyrë është mirë me e zgjidhë çështjen edhe mos me pasë dilema.
Në rast se është në interesin e qytetarëve unë mendoj që duhet me u ble, me u pru.
Në vendet e tjera, kryeqytetet e tjera kanë tramvaja, kanë autobusë të tjerë specialë, kanë me rrymë elektrike, kanë të tana, pse ne mos me i pasë?
Në rast se kuptohet, brenda mundësive që janë dhe i ka shteti.
Prandaj iniciativa e komunës mua më pëlqen, që duhet me ua lehtësu punën qytetarëve aq sa është e mundur dhe sa ka mundësi”, tha ai.
Sipas tij, autobusët elektrikë do të ndikonin edhe në uljen e ndotjes dhe lehtësimin e qarkullimit në qytet. “Unë mendoj që përveç që e mbron ajrin, mendoj që edhe lëvizja në komunikacion nëpër qytet kish me u rrallu e automjeteve dhe në këtë mënyrë qarkullimi kish me qenë më i lirë, kish me qenë më i shlirë, kish me qenë më komod edhe kishin mundur me qarkullu edhe qytetarët me automjete”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






