Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën, ku thuhet se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë – Serbi mbeten kyç në rrugën evropiane të vendit.
Rezoluta u miratua me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime. “Vazhdimi i reformave dhe përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbeten kyç në rrugën evropiane”, shkroi në X raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, pas miratimit të rezolutës.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar dialog të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë.
Zëvendëskryeministrit në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar në fillim të majit se nuk pret që gjatë këtij viti të ketë ndonjë zhvillim në dialog.
Në rezolutën e miratuar të PE-së është përsëritur qëndrimi se viti 2025 ishte vit i humbur për vendin, duke tërhequr vërejtjen se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen humbje për shkak të krizës politike.
Kosova mbajti më 7 qershor zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se legjislatura e kaluar s’arriti të zgjidhte presidentin e ri.
Fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, parti e cila pritet të ketë 53 vende në Parlamentin prej 120 ulësesh.
Këshilli i Bashkimit Evropian, sipas rezolutës, ftohet, të veprojë me shpejtësi dhe t’ia japë Kosovës statusin e kandidatit, pasi të jenë përmbushur kriteret përkatëse.
Burimi origjinal i informacionit: zeri.info






