Reperi amerikan Mystikal, i cili në fillim të viteve 2000 ishte nominuar disa herë për çmimet Grammy, është dënuar me 20 vjet burgim pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje në shtëpinë e tij në Luiziana në vitin 2022, raportojnë mediat amerikane.
Mystikal, emri i vërtetë i të cilit është Michael Lawrence Tyler, në muajin mars arriti një marrëveshje me prokurorinë dhe pranoi fajësinë për akuzën e përdhunimit të shkallës së tretë.
Falë kësaj marrëveshjeje, dënimi i tij u kufizua në 20 vjet burg, pesë vjet më pak se maksimumi i parashikuar për këtë vepër penale.
Në këtë mënyrë ai shmangu akuzën për përdhunim të shkallës së parë, e cila do t’i sillte automatikisht burgim të përjetshëm.
Megjithatë, vetëm pak ditë para shpalljes së dënimit, reperi kërkoi nga gjykata të tërhiqte pranimin e fajësisë, duke pretenduar se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar plotësisht pasojat e vendimit të tij.
Para se të jepej vendimi, viktima dëshmoi në gjykatë dhe kërkoi që Mystikal të dënohej me masën maksimale.
Ajo deklaroi se reperi e kishte sulmuar në shtëpinë e tij në Prairieville, një zonë rreth 30 kilometra larg Baton Rouge, duke e rrahur, mbytur, tërhequr për flokësh dhe më pas përdhunuar.
Në përgjigje të dëshmisë së saj, Mystikal u shpreh: “Nëse të kam bërë këtë, atëherë e meritoj dënimin maksimal”, sipas raportimeve të mediave lokale.
Që nga arrestimi i tij në vitin 2022, Mystikal mbahej në paraburgim në qarkun Ascension pa mundësi lirimi me kusht.
Artisti nga Luiziana u bë i famshëm gjatë viteve ’90, ndërsa njihet më së shumti për hitin e vitit 2000 “Shake Ya A**”, i cili i solli një nominim për Grammy në kategorinë e performancës më të mirë solo rap.
Kjo nuk është hera e parë që reperi përballet me probleme ligjore.
Në vitin 2003 ai pranoi fajësinë për një sulm seksual dhe u dënua me gjashtë vjet burg.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com






