Cate Blanchett do të bëhet profesoreshë vizitore në Universitetin e Oksfordit

Aktorja fituese e çmimit Oscar, Cate Blanchett, do të bëhet profesoreshë vizitore në Universitetin e Oksfordit për të inkurajuar më shumë studentë që të përfshihen në teatër.

Ajo tha se do të sjellë një “gjallëri krijuese” kur të marrë detyrën e saj këtë vjeshtë në universitetin e famshëm të Oksfordit.

Ylli australian do të marrë pjesë në një program njëvjeçar bisedash dhe leksionesh, duke bashkëbiseduar me studentët, si edhe me komunitetin më të gjerë universitar.


- Advertisement -

Megjithëse Oksfordi nuk ofron një diplomë në studime teatrore, ai është i njohur për grupet e shumta teatrore të drejtuara nga studentët, të cilat realizojnë shfaqje me standarde profesionale.

Blanchett është emri më i fundit në një listë të gjatë aktorësh që janë emëruar profesorë vizitorë të Teatrit Bashkëkohor “Cameron Mackintosh” në Kolegjin St Catherine të universitetit.

Ky post u krijua në vitin 1990 dhe më parë është mbajtur nga figura të njohura si Ian McKellen, Myra Syal dhe Diana Rigg. “Arti rrëzon kufijtë dhe barrierat e imagjinatës sonë”, tha aktorja. “Ky post profesor vizitor është një mundësi jashtëzakonisht frymëzuese për mua që të jem në një dialog krijues të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm me brezin e ardhshëm të mendimtarëve dhe krijuesve.

Me padurim pres ta nis këtë aventurë krijuese”.

Blanchett ka fituar dy çmime Oscar – të parin për interpretimin e saj të Katharine Hepburn në filmin The Aviator dhe të dytin për rolin e saj në filmin Blue Jasmine të Woody Allen.

Aktorja 57-vjeçare u bë e famshme fillimisht me rolin e Elizabeth I në filmin Elizabeth dhe më pas ka luajtur në serinë filmike The Lord of the Rings, si dhe në filmat Ocean’s 8, Carol, Notes on a Scandal dhe Tár.

Ajo ka interpretuar gjithashtu në skenat prestigjioze të teatrit në West End dhe Broadway.

Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *