Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania konfirmojnë angazhimin e tyre në ruajtjen e sigurisë në Kosovë

Mbretëria e Bashkuar nuk ka plane të rishikojë angazhimin e saj në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), pavarësisht paralajmërimeve të fundit të Aleancës për optimizimin e pranisë së saj ushtarake në vend.

Londra zyrtare do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in edhe në vitet e ardhshme, duke mbetur e përkushtuar ndaj ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Ky konfirmim vjen në një kohë kur NATO ka paralajmëruar mundësinë e zvogëlimit gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke tërhequr një pjesë të trupave dhe pajisjeve, si pasojë e vlerësimit se situata e sigurisë në vend mbetet përgjithësisht e qëndrueshme.


- Advertisement -

Megjithatë, përkushtimi britanik tregon se disa nga shtetet kyçe aleate nuk po planifikojnë ndryshime në angazhimin e tyre aktual në Kosovë.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Gjermania!

Në një përgjigje për Klankosova.tv, autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se nuk po planifikojnë zvogëlim të trupave të saj që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

Sipas Berlinit zyrtar, Forcat e Armatosura të Gjermanisë do të vazhdojnë misionin dhe angazhimin e tyre në Kosovë, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend. “Bundeswehr do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë.”, ka thënë shkurt një zëdhënës i Komandës së Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Gjithashtu, para pak ditësh, edhe Bundestagu gjerman kishte votuar për vazhdimin e misionit të saj në KFOR.

Burimi origjinal i informacionit: zeri.info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *