Kampionati Botëror 2026 ka filluar zyrtarisht këtë të enjte me një ceremoni të mahnitshme në stadiumin legjendar ‘Azteca’ në Mexico City, përpara ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Ceremonia solli në skenë emra të njohur të muzikës botërore, me performancën e shumëpritur të këngëtares kolumbiane Shakira dhe artistit nigerian Burna Boy, të cilët interpretuan këngën zyrtare të Botërorit 2026, ‘Dai Dai’.
Dy artistët elektrizuan atmosferën para mijëra tifozëve të pranishëm në stadium, duke sjellë një performancë plot energji, koreografi dhe efekte vizuale.
Kënga ‘Dai Dai’ është zgjedhur si himni zyrtar i Kupës së Botës 2026 dhe mbështet Fondin Global të Edukimit të FIFA-s dhe Global Citizen.
Në ceremoninë hapëse performuan gjithashtu artistë të njohur si J Balvin, Danny Ocean, Belinda, grupi meksikan Maná dhe Los Ángeles Azules, ndërsa ceremonia u hap me një homazh ndaj kulturës azteke dhe traditave të Meksikës.
Pjesë e spektaklit ishte edhe këngëtari legjendar meksikan Alejandro Fernández, i cili interpretoi himnin kombëtar të Meksikës para fillimit të ndeshjes.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi.com






