Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike.
Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove.
Nga kjo shumë, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se vendi përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.
Autori i dokumentit, eurodeputeti, njëherësh raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka vlerësuar se 18 muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Kosovën.
Ai ka theksuar se raporti i miratuar ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës në Kosovë.
Në raport vihet në pikëpyetje mungesa e transparencës dhe e parashikueshmërisë, niveli i informimit publik, si dhe kohëzgjatja e zgjatur e masave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kërkesat për heqjen e tyre.
Në dokumentin e PE-së shprehet keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për sulmin në Banjskë, veçanërisht Radoiçiqin.
Burimi origjinal i informacionit: atvlive.tv






