Shqipëria zgjidhet Presidente e Forest Europe për periudhën 2026–2030

Shqipëria është zgjedhur si Presidente e Forest Europe për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Për këtë lajm ka njoftuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka thënë se zgjedhja është bërë me votë unanime të 45 vendeve anëtare.

Sipas tij, ky është një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit.


- Advertisement -

Ai ka ironizuar me të gjithë ata që e kritikojnë qeverisjen e tij. “Po si ka mundësi, që këtë vend të betonit, Paketës së Mafias së Maleve dhe të Konspiracionit Jahudit të zhdukjes së pyllit të Zvërnecit për ta kthyer në geto palestinezësh të spastruar etnikisht nga Gaza, ta mbështesin fuqimisht nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për këtë zgjedhje kaq domethënëse, ndërsa vendimi të miratohet më në fund pa asnjë kundërshtim?!”, ka shkruar Rama, duke iu përgjigjur edhe disa prej akuzave të ngritura në protestat e fundit për ngjarjen në Zvërnec.

Ai ka thënë se “Evropa e Pyjeve” është platforma më e rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, që bashkon 45 shtete evropiane dhe Bashkimin Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, biodiversitetit pyjor, klimës dhe ekonomisë së gjelbër.

Rama informoi se deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të kësaj organizate, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve.


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *