Në një tubim të madh të mbajtur me qytetarë në Rahovec, Presidentja e 6-të e Kosovës dhe kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka përcjellë mesazhe të qarta politike lidhur me drejtimin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar lart sakrificën, mundin dhe dinjitetin e vreshtarëve dhe familjeve të kësaj treve.
Kosova nuk mund të dorëzohet dhe as të pranojë të kthehet në një cikël të pafundëm zgjedhjesh e tensioni politik që nuk sjell siguri e as të ardhme.
Ajo theksoi se këto zgjedhje janë një moment përcaktues për drejtimin e vendit.
Osmani bëri të qartë se dilema kryesore nuk është mes individëve, por mes dy modeleve të shtetit.
Në një periudhë ndryshimesh globale dhe rajonale, ajo nënvizoi se Kosova ka nevojë për një qeverisje që ndërton e nuk eksperimenton.
Osmani prezantoi kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun, si përfaqësues i një gjenerate të re udhëheqjeje, i shkolluar, i përgatitur dhe me përvojë ekzekutive, i cili ka dëshmuar aftësinë për të udhëhequr me dije e rezultate konkrete.
Osmani theksoi fuqizimin e familjes dhe rolin e gruas në ekonomi e institucione, duke deklaruar se politika e re vendos familjen në qendër të shtetit si investimin më të rëndësishëm kombëtar. “Kosova zgjedh stabilitetin, punën, familjen e ndershme dhe të ardhmen”, përfundoi ajo.






