Teksa ka renditur dështimet e Kurtit, Hoti është shprehur se ekzekutivi i ardhshëm duhet t’i rikthehet urgjentisht bashkërendimit të politikave dhe projekteve me Shqipërinë.
Duhet të rikthehen mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të intensifikohet bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe të avancohet themelimi i Asamblesë Parlamentare Mbarëshqiptare, si forum i përhershëm për trajtimin e çështjeve strategjike kombëtare.
Integrimi kombëtar nuk ndërtohet me slogane patriotike, konferenca për shtyp dhe postime në rrjete sociale, por me projekte konkrete dhe rezultate të matshme.
Përveç mosbashkëpunimit, Hoti akuzoi Kurtin edhe për përfshirjen në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, që sipas tij po thellon ndarjet mes shqiptarëve.
Hoti gjithashtu rendit dështimet e Qeverisë së Kurtit në fusha si integrim ekonomik, energji, bujqësi, turizëm, arsim, kulturë dhe infrastrukturë.
Infrastruktura strategjike mbetet dështimi më i dukshëm, me projekte si hekurudha Prishtinë-Durrës ende në faza deklarative.
Bashkëpunimi dhe koordinimi me Shqipërinë është thelbësor për përparimin e vendit. /Klankosova.tv






